HISTORIA

Në Tetor të vitit 2005 në kryeqytetin e Greqisë Athinë Shqipëria dhe Kosova nënshkruan Marrëveshjen e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, e cila mbetet ende në fuqi fillimisht për një periudhë 10-vjeҫare nga Korriku i vitit 2006 deri në vitin 2026. Qëllimi kryesor i Komunitetit të Energjisë është që nëpërmjet një kornize detyrimesh ligjore të shtrijë standardet e rregullave dhe parimet e brendshme të tregut të energjisë së Bashkimit Europian në vendet e Europës Juglindore, në rajonin e Detit të Zi dhe më gjerë përmes një kornize të detyrueshme ligjore e krijuar nga një numër acquis në energji, ambient dhe konkurrencë.

Bazuar në këtë Traktat, Shqipëria miratoi në vitin 2015 Ligjin e ri për Sektorin e Energjisë Elektrike (nr.43/2015), i cili transpozon Direktivën e Bashkimit Europian 2009/72/EC, datë 13 Korrik 2009, në lidhje me rregullat e përbashkëta në tregun e brëndshëm të energjisë elektrike duke shfuqizuar Direktivën 2003/54/EC. Ligji i ri i për Sektorin e Energjisë Elektrike (i ndyshuar) shfuqizon modelin e blerësit të vetëm në tregun me shumicë, duke paraqitur një treg të lirë dhe të multi-segmentuar. Modeli i ri i tregut siҫ është përcaktuar në Ligjin për Sektorin e Energjisë Elektrike, përfshin tregun e ditës në avancë, tregun brenda së njëjtës ditë, tregun balancues dhe shërbimet ndihmëse, si dhe tregun e kontratave dypalëshe, duke qenë kështu në përputhje me praktikat që ndiqen në shumë vende të Bashkimit Europian. Gjithashtu, Ligji për Sektorin e Energjisë Elektrike, siguron themelimin e Bursës së Energjisë Elektrike me qëllim operimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike në Shqipëri.

Bazuar në Ligjin për  Sektorin e Energjisë Elektrike, Qeveria Shqiptare miratoi në Korrik të vitit 2016 Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike, i cili përcakton rolet dhe përgjegjësitë e palëve të ndryshme të interesit në tregjet e organizuara të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë, ndërsa në Dhjetor të vitit 2017 Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi disa rregulla më specifike në lidhje me mënyrën sesi do të funksionojë tregu i organizuar.

Në linje me kërkesat e ligjit  për  Sektorin e Energjisë Elektrike, në Korrik të vitit 2020, ERE aprovoi rregullat e tregut balancues të cilat mundësojnë krijimin e një tregu konkurrues per shërbimet balancuese te kërkuara nga OST.

Bazuar në vendimet e Këshillit të Ministrave, respektivisht nr. 322, datë 15.05.2019 “Mbi themelimin dhe përcaktimin e formës ligjore të strukturës së pronësisë të kapitalit aksionar të operatorit të tregut” dhe atë nr.609, datë 11.09.2019 “Mbi përcaktimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në kapitalin aksionar të operatorit të tregut”, në Tetor të vitit 2020 u themelua Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) si një Shoqëri Aksionare sipas ligjit Shqiptar, në bashkëpronësi të Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë (OST) dhe Kosovës (KOSTT).

Në Dhjetor të vitit 2020 Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ERO) miratoi kërkesën e KOSTT për të deleguar tek ALPEX autoritetin për organizimin e tregut të ditës në avancë dhe atë brenda së njëjtës ditë në Kosovë.

Si rrjedhoje, synimi është që ALPEX të dizenjohet si NEMO per Shqipërinë dhe Kosovën i cili është subjekt i miratimin nga rregullatorët respektive.

 

Nën kujdesin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe të Komisionit Europian, gjashtë vendet të cilat nënshkruan Marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë, respektivisht Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, ju bashkuan iniciativës WB6 (i njohur gjithashtu edhe si Procesi i Berlinit). Qëllimi kryesor i iniciativës WB6 ishte mbështetja më qëllim përforcimin e bashkëpunimit rajonal si dhe nxitja drejt një rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës në këto vende. Në Prill të vitit 2016, këto gjashtë vende nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) e cila vendosi parimet e përgjithshme të bashkëpunimit si edhe ndërmori veprime konkrete për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike në nivel rajonal. Me nënshkrimin e kësaj, palët e interesit të BE-së njohën rëndësinë e kësaj iniciative përsa i përket synimit të bashkimit të tregut rajonal të ditës në avancë midis palëve që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë dhe vendeve fqinje anëtare të BE-së. Palët e interesit nga të gjitha vendet anëtarë të BE-së, fqinje me vendet e WB6, iu bashkuan nismës me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit.

 

Në linjë me Memorandumin e Mirëkuptimit të WB6, u nënshkrua një tjetër Marrëveshje Kornize midis OST, KOSTT, ERE dhe ERO për bashkimin (coupling) e tregut të ditës në avancë të energjisë elektrike dhe brenda së njëjtës ditë. Me 21 Tetor 2021, Shqipëria dhe Kosova, te perkrahura nga USAID, ne kuader te mbeshtetjes se Shteteve te Bashkuara te Amerikes per sigurine e sistemit energjitik dhe integrimin rajonal te Shqiperise dhe Kosoves, firmosen Marreveshja Kornize per Bashkimin e Tregjeve te energjise elektrike midis dy vendeve.

Bazuar në sa më sipër, ALPEX pritet të operojë tregun e organizuar të energjisë elektrike (të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë) në Shqipëri dhe Kosovë, të organizojë bashkimin e tregut të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të lehtësojë bashkimin me tregje të tjera të vendeve fqinje në përputhje me rregulloret e tregut të energjisë elektrike të BE-së dhe Modelin e Synuar Europian.

Scroll to Top