Projekti i Bashkimit te Tregjeve te Evropës Juglindore

Mbledhja e Grupit Implementues dhe Komitetit të Përbashkët Drejtues për Bashkimin e Tregjeve të Energjisë Elektrike ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë

Më 22 tetor 2025, u zhvillua takimi i radhës i Grupit Implementues dhe Komitetit të Përbashkët Drejtues për Bashkimin e Tregjeve të Energjisë Elektrike ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, nën drejtimin e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës, z. Fejzullahu, i cili njëkohësisht kryeson edhe këtë grup implementues.

Në këtë mbledhje, pjesëmarrësit trajtuan çështje kyçe që lidhen me ecurinë e bashkëpunimit teknik dhe institucional ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në kuadër të projektit të bashkimit të tregjeve të energjisë. Një nga temat kryesore ishte diskutimi mbi propozimin e fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER) lidhur me përcaktimin e Zonave të Kalkulimit të Kapaciteteve Rajonale (CCR).

Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse, përfshirë Shqipërinë, theksuan rëndësinë e koordinimit të mëtejshëm me Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST) për të mbështetur përditësimin e metodologjive të kalkulimit të kapaciteteve në kufijtë rajonalë të zonave ofertuese në Evropën Juglindore (SEE).

Gjithashtu, u shqyrtuan zhvillimet për aderimin në nismën italiane “Italian Borders Working Table (IBWT)” dhe përparimi në përshtatjen e legjislacionit kombëtar me paketën evropiane për integrimin e tregut të energjisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo iniciativë rajonale forcon integrimin e tregjeve të energjisë, duke hapur rrugën për një treg më transparent, efikas dhe konkurrues, në përputhje me direktivat evropiane.

Në përmbyllje, pjesëmarrësit riafirmuan përkushtimin e tyre për vazhduar bashkëpunimin drejt ndërtimit të një tregu energjetik të integruar, të qëndrueshëm dhe efikas në të gjithë rajonin.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top